Eskili
"Prometeu i Lidhur"
Kushtuar Safetit dhe Xhelalit

E K S O D I
PROMETEU
Por le të mbahet Zeusi me të madh,
Fodull, do të përulet ai një ditë!
Ajo martesë, që mendon të bëjë,
Nga duart do t'i rrëmbejë pushtet e fron
Dhe kokëposhtë do ta rrokullisë,
Si t'ish një send pa vlerë. Ja, kështu,
Do të përmbushen fjalt' e të atit,
Të Kronit, që të birit rebelues
Ia la si një mallkim, kur e rrëzoi
Nga fron' i lashtë. Asnjë nga hyjnitë
Nuk mund t'i thotë Zeusit me ç'mënyrë
Shpëton nga ky mjerim. Po, vetëm unë
E di shpëtimin. Le të mbretërojë
Dhe le të mburret sa të dojë ai
Me shkrepëtimat e rrufeve-flakë!
S'ka gjë, le të sundojë, duke tundur
Në duart e tij shigjetat flakë e zjarr.
Asnjë nuk e shpëton atë nga rënia
Plot turp e tmerr. Për fat të tij të keq,
Do t'lindë ai një rival, luftëtar të madh,
Që s'mposhtet kurrë. Do t'gjejë ky një zjarr
Që djeg edhe më shumë se rrufeja,
Gjëmim më bubullues se i Zeusit.
Ai copë e çikë do ta bëjë sfurkun
Tredhëmbësh, me të cilin tokë e det
Trand Poseidoni. Do të dridhet Zeusi
Nga frika, tmerri. Dhe do ta kuptojë
Tirani i çkurorëzuar aherë
Ç'ndryshim ka skllavi me një sundimtar!
KORI
Parashikon për Zeusin ç'të do zemra.
PROMETEU
Parashikoj atë që dëshiroj
dhe që me siguri do vërtetohet.
KORI
Një zoti tjetër t'i përulet Zeusi?
PROMETEU
Do t'i përulet dhe do të rënkojë
Nga dhembje më e madhe se kjo imja.
KORI
S'ke frikë që lëshon të tilla fjalë?
PROMETEU
Pse të kem frikë? Vdekje s'ka për mua.
KORI
Sikur të çonte vuajtje më të madhe?
PROMETEU
Le të më çojë. Nuk më tremb aspak.
Të gjitha unë i kam parashikuar.
KORI
Të urtët zbrapsen para Nemesidës.
PROMETEU
Ti lutju, lajkatoje dhe përulju
Atij që ka tani pushtet, fuqi.
Por për asnjë s'çaj kokën, aq më pak
Për Zeusin. Le të tërbohet, të bëjë
Si ia do qejfi dhe atë pak kohë
Që i ka mbetur Qiellin të sundojë.
Por prit, se lajmëtarin e tij po shoh
Që vjen me vrap si një lake i bindur
I mbretit t'ri. Po sjell ndonjë mesazh!
(Hyn Hermesi)
HERMESI
Me ty, o dhelpër, tallës e përbuzës,
Me ty, o tradhtar i perëndive,
Me ty që pasurove njerëzt' e vdekshëm,
Me ty, hajdut i zjarrit të hyjnive,
Me ty po flas! Im atë i madh, kryezot
Në Qiell, të urdhëron çdo gjë që llape
Për dasmën, që nga froni e rrëzon,
Shpejt haptaz t'ia tregosh, pa fshehur gjë.
Flit qartë, Promete, dhe pa enigma!
Mos më shtrëngo ta bëj dy herë rrugën.
Me kokëfortësi Zeusi nuk zbutet!
PROMETEU
Sa fort i shkokërka një gjuhë e lartë
Prej mburraveci një lakeu të bindur
Të perëndive! Eh, të rinj në moshë,
Të rinjë në pushtet, mos ju pandehni
Se tërë jetën e jetës pa trazime
Do të banoni në pallat qiellor?
S'i pashë unë dy tiranët e tjerë
Se si u rrokullisën posht' nga froni?
Do shoh si do përmbyset dhe të tretin.
Ai që sundon tani në Qiell do t'bjerë
Më shpejt dhe më me turp se sa të tjerët.
Mos vall' kujton se trembem dhe përulem
Përpara hyjëve të tu të rinjë?
Shiko se po gabon. S'më njihke mirë!
Vër majat nga ke thembrat! Mbathja shpejt
Nga erdhe! Kjo është përgjigja ime,
Mos prit më shumë. Më s'të them asgjë.
HERMESI
Me fjalt' e tua kryeneçe, të hazdisura,
Anijen tënde mbyt në det mjerimesh.
PROMETEU
Dëgjo këtu: s'e ndërroj mjerimin tim
Me servilizmin tënd të ulët, kurrë!
HERMESI
Mos të pëlqen më tepër majë shkëmbit
Të jesh mbërthyer, se sa lajmëtar i Zeusit?
PROMETEU
Më duket vetja më fisnik në pranga,
Në shkëmb mbërthyer, se sa të jem lake
Besnik i Zeusit. Ti e meriton
Me fyerje fyerjen tënde ta shpërblej.
HERMESI
E shoh se të pëlqekan shumë vuajtjet.
PROMETEU
Si s'më pëlqejnë! Dhe armiqtë e mi
Kështu pësofshin! Edhe ti, Hermes!
HERMESI
Mos të kam unë faj që vuan kështu?
PROMETEU
Ta them haptaz: të gjithëve ju hyjve
Të qiellit ju urrej! Të mirën time
Ju ma shpërblyet me vuajtje poshtërsisht!
HERMESI
E shoh, ti flet përçart, si i sëmurë.
PROMETEU
Si i sëmur' vërtet, sikur sëmundje
Të ish urrejtja ime për armiqtë.
HERMESI
Kur në mjerim ti je kaq fort krenar,
Kush të duron sikur të jesh i lumtur?
PROMETEU
Medet, medet, i mjeri unë, i mjeri!
HERMESI
"Medet"? Këtë rënkim s'e njeh, jo, Zeusi!
PROMETEU
Do t'ia mësojë koha, duk' u plakur.
HERMESI
Me ç'shoh, nuk paske zënë mënt aspak.
PROMETEU
Prandaj rri flas me një lake si ti.
HERMESI
Pra, s'dashke t'i përgjigjesh hiç tim eti?
PROMETEU
Me dhela duhet t'u përgjigjem dhelave.
HERMESI
Po talle me mua si me një fëmijë.
PROMETEU
Nuk je më naiv ti se sa një fëmijë?
Vërtet besoke se do t'i përgjigjem?
Dëgjo këtu: nuk ka ndëshkim, nuk ka dredhi
Që Zeusi të më detyrojë mua
T'i them ato që kanë për t'i ndodhur,
Po s'më çliroi nga hekurat mizore.
Le të shkrepëtijë flakët e rrufeve,
Të ushtojë me gjëmimet e nëndheshme,
Le të peshtjellë Tokë e Qiell së bashku
Me borën pendëbardhë, le t'i tundë
E shembë të gjitha, por ta dish se kurrë
Nuk më perkul dot! Kurrë s'do t'i them
Se kush do ta përmbysë atë nga froni.
HERMESI
Shih mos pendohesh për këto që thua!
PROMETEU
Çdo gjë e kam vendosur që më parë.
HERMESI
Mblidh mendjen, bëhu i arsyeshëm dhe
Mëshirë ki, i gjorë, për veten tënde!
PROMETEU
Kot më mërzit. Si uturimë deti
Që kot dëgjojmë janë fjalt' e tua.
Apo kujton ti se nga frik' e Zeusit
Do qaj e duart do ngre bash si një grua
Para atij armiku të përbindshëm
Dhe do ta lus që të më heqë prangat ?
S'më njihke mirë! Kjo s'do ndodhë askurrë!
HERMESI
Të fola mjaft, por qenka krejt e kotë.
Nga lutjet s'preket zemër si e jotja.
Ti po harbon si mëzi i pamësuar
Që vetëm nduk kapistër edhe fre.
Më kot rropatesh, ti nuk ke shpëtim!
Një trill i çmendur, qoftë edhe krenar,
Dobi nuk sjell. Pra, bindju fjalës sime,
Përndryshe nuk shpëton nga një stuhi
Mjerimesh, që si një tallaz mizor
Mbi ty do shembet dhe do të mbulojë.
Ky shkëmb do bëhet copë e thërrime,
Kur Zeusi ta godasë me rrufe
Dhe shkrepëtima. Shkemb' i zi në gji
Të tij do ta varrosë trupin tënd.
Mjaft shekuj do kalojnë, pa të dalësh
Prap' ti në dritë. Qeni fluturak
I Zeusit, zhgaba e pangopur kurrë
Me gjak, një goxha copë do të shqyejë
Me sqep nga trupi yt dhe dit' për ditë
Do vijë si një mik krejt i paftuar
Të të gërryejë e shqyejë ty mëlçinë!
Dhe mos kujto se do të marrin fund
Këto mynxyra, para se një tjetër
Hyjni të dojë vendin tënd ta zërë,
Në ferr pa diell të zbresë, në humnerat
E thella të Tartarit pis të zi.
Prandaj të them: mblidh mendjen! S'janë fjalë
Këto prej mburraveci, jo, por dalin
Nga goj' e vetë Zeusit të pavdekshëm.
Dhe Zeusi nuk gënjen. Çka thotë ai
Vërtet do kryhet. Pra, mendohu mirë,
Dhe më beso se je më i fituar
Të jeshë i urtë, sesa kokëfortë!
KORI
Hermesi thotë fjalë bash me vend,
Të këshillon ta mposhtësh zemërimin.
Hiq dorë ti nga kokëfortësia.
Dëgjoje! Ji i mençur! Është turp
Për t'urtin këmbëngulja në gabim.
PROMETEU
Çdo gjë që tha ky lajmëtar
E dija mirë që më parë.
Por veç armiku turp s'provon
Kur nga armiqtë e tij pëson.
Me zjarr, rrufe më përvëlo,
Me vetëtima shkrep, qëllo!
Me zhurmë, britma dhe poterë
Tronditi Tokë e Qiell plot tmerr!
Me erë, shqotë e bubullimë,
Tallaz të egër, uturimë,
Pështill ti ajër, tokë e det,
Mbi yje shtjella marrt' përpjetë.
Dhe hidhma trupin në skëterrë,
Mu në Tartar, mu në humnerë.
Në ferr të zi si trup të vdekur
Vërvitëm Fat me dorën hekur.
Por vetëm trupin tim të mjerë
Se unë s'vdes jo asnjëherë!
HERMESI
Po flet përçart nga dëshpërimi,
Urrejtj' e zezë e zemërimi.
Gozhduar për tmerr siç je, i ngratë,
S'tu mbyllka goja, gjuhëgjatë.
Sikur të ishte ky i lirë,
Ku mendj' e shthurur kish arrirë?
Por ju që keq për të u vjen,
Largohuni shpejt nga ky vend,
Që mendja juaj mos të shkallojë,
Rrufe e Zeusit kur t'ushtojë!
KORI
Ti mos më jep të tilla mend,
Tek unë ato nuk zënë vend!
Mos më kujton për zemërqullët,
Që po më shtyn për sjellje t'ulët?
Si do që puna do të vi',
Me të do vuaj çdo short të zi.
Po, gjithë jetën jam mësuar
Ta kem pështirë pabesinë.
S'njoh unë ves më të shëmtuar,
Më të poshtër se tradhtinë!
HERMESI
Por mos harroni çfarë ju thashë,
Kur dallgë dhembjesh t'ju godasë.
Ju fatin tuaj mos e mallkoni,
Mos u rropatni, mos ankoni
Se gjoja Zeusi krejt papritur
Me flakë e zjarr u pat goditur.
Ju vetë u hodhët në humnerë,
Vetë u gremisët në skëterrë!
Askush s'ju zu në befasi,
Askush s'ju ngre juve pusi.
Me dashjen tuaj endët rrjetën,
Në rrjet' të fatit zutë veten.
(Hermesi largohet)
PROMETEU
S'qenkan fjalë boshe, se me të vërtetë,
Toka dridhet e po trandet me rrëmet.
Oshëtijnë gjëmimet me bubullima,
Gjarpërojnë rrufetë me vetëtima,
Gjuhë flake nëpër qiell bëjnë zigzag
Flakërimat verbojnë çdo gjë përqark!
Pluhurin era ngre lart në ajëri,
Shqota ulërin, vërshllen me lemeri!
Po përplasen, përleshen shqota me shqotë
Tokë e qiell e çdo gjë u përzje në botë!
Ja ç'furtunë më çoi Zeusi i tërbuar
Për të më përulur, për të më ndëshkuar,
Shih, o mëmë Tokë,
Shih, o mëmë e shtrenjtë,
Që më bëre kokën,
Shih eter i shenjtë
Që pështjell krejt botën
Nga skaji në skaj,
Shihni ku më hodhën
Krejt pa pasur faj!
(Vetëtin, gjëmon, Prometeu gremiset nën tokë)
- Fund -
Eskili "Prometeu i Lidhur" Shqipëroi Çezar Kurti, Kurti Publishing, New York, 1997.
Copyright©1997 by Kurti Publishing.